Sipas të dhënave të reja qeveritare, ekonomia amerikane u rrit më shpejt nga sa mendohej më parë, sepse ishte e nxitur nga shpenzimet e forta të konsumatorëve dhe rënia e importeve.
Produkti i brendshëm bruto (PBB), i cili mat prodhimin e mallrave dhe shërbimeve, u rrit me një normë vjetore prej 3.8% në periudhën nga prilli deri në qershor nga vlerësimi i mëparshëm prej 3.3%.
Rritja e tremujorit të dytë, ritmi më i shpejtë në gati dy vjet pasoi një tkurrje në fillim të këtij viti.
Ekonomistët thanë se ekonomia amerikane po shkonte mjaft mirë, por disa pasiguri mbeten. Shpenzimet e konsumatorëve u rritën me 2.5% në vitin deri në fund të qershorit, nga një vlerësim i mëparshëm prej 1.6%.
Në tre muajt e parë të vitit 2025, ekonomia amerikane u tkurr me një normë prej 0.6%, ndërsa kompanitë nxituan në importe për të kapërcyer tarifat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, të cilat ulën PBB-në.
Konsumatorët amerikanë, motori i ekonomisë më të madhe në botë, kanë mbetur të qëndrueshëm përballë tarifave dhe pasigurisë ekonomike.
Punëdhënësit shtuan vetëm 22,000 vende pune në gusht, më pak se sa pritej, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit nga 4.2% në 4.3%, sipas Departamentit të Punës.
Ekonomistja e lartë në EY-Parthenon, Lydia Boussour tha se momenti ekonomik mbeti i qëndrueshëm në gjysmën e parë të vitit pavarësisht vështirësive politike në rritje.
Por, ajo paralajmëroi se me ndikimin e tarifave dhe pasigurisë politike që po bëhet gjithnjë e më e dukshme, rritja më e ngadaltë e SHBA-së dhe inflacioni më i lartë janë ende në horizont./S.K/KP/