Nga janari i këtij viti qytetarët e Kosovës u goditën me një rritje marramendëse dhe jonormale të tatimit në pronë, mesatarisht më shumë se 100 për qind, krahasuar me vitin paraprak.
Reagimet ishin të shumta, me një efekt të çastit në vend se kjo rritje e vlerës së tatimit në pronë të kundërshtohet fuqishëm përmes aktivizmit qytetar dhe të gjithë atyre që kanë mandat ta mbrojnë interesin e qytetarit.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar të hënën, duke thënë se Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati ka tërë përgjegjësinë për këtë rritje.
“Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati ka tërë përgjegjësinë për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë e adresoi te komunat duke deklaruar se këto mjete shkojnë në buxhetin e komunave në kohën kur komunat po arsyetohen se Ministria përkatëse ka përgjegjësi dhe se komunat nuk kanë as mundësi e as përgjegjësi ligjore të ndërhyjnë në vendimet e ministrisë. Realisht, qytetarët e Kosovës që pamëshirshëm po plaçkiten, qoftë nga një vendim diskriminues i ministrisë, qoftë nga mungesa e kompetencave të komunave të ndërhyjnë në caktimin e shumës së tatimit në pronë, janë të pafuqishëm të mbrojnë buxhetin familjar dhe biznesor, edhe ashtu të rrezikuar shumë nga kriza e përgjithshme ekonomike”, thuhet në njoftim.
Në komunikatën e KMDLNj-së thuhet se në këtë situatë komunat kanë kërkuar nga ministria që të mos zbatojë këtë rritje jonormale, deri në një vlerësim tjetër, kurse Ministria, për ta heshtur dhe zbutur kundërshtimet e arsyeshme të qytetarëve ka propozuar që komunat t’ua falin nga 100 euro tatimpaguesve ndonëse për këtë nuk ka asnjë bazë ligjore.
“E pabesueshme deri ku shkon injoranca dhe arroganca e atyre që kanë përgjegjësi konkrete për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë”, thuhet mes tjerash në reagimin e KMDLNj-së.