UBT News

Rritja e rasteve të fruthit në Evropë, IKSHPK-ja thotë se s’ka raste të konfirmuara në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka dalë me një komunikatë pas alarmimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për rritjen e rasteve me fruth në Evropë.

Përmes një komunikatë drejtuar mediave, IKSHPK-ja ka bërë të ditur se përkundër rritjes së madhe të rasteve në Evropë dhe në rajon, në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara me fruth.

Instituti njoftoi se po bën mbikëqyrjen e vazhdueshme të sëmundjeve ngjitëse, përfshirë këtu edhe fruthin, duke i ndërmarrë në vazhdimësi masat profillaktike dhe kundër- epidemike. Në njoftim u është drejtuar edhe një apel prindërve.

“Vaksinimi është mënyra më e mirë për parandalimin e përhapjes së fruthit. Aktualisht, Kosova ka shkallë të mirë të mbulueshmërisë me vaksinën MMR (Fruth-Rubellë-Parotit).  IKShPK është duke punuar intensivisht në koordinim me ekipet e vaksinimit dhe institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor që të identifikohen fëmijët të cilët nuk kanë marrë vaksinën MMR sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit.  Me ketë rast, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë Kartelën e vaksinimit të fëmijëve t’i vaksinojnë ata me kohë”, thuhet në komunikatë.

Fruthi është një ndër sëmundjet më ngjitëse dhe me vdekshmëri më të lartë te fëmijët nën 5 vjeç.

Exit mobile version