Zgjedhjet e Parlamentit Evropian u mbajtën nga 6 deri më 9 qershor në 27 vendet e Bashkimit Evropian. Por dinamika e këtyre zgjedhjeve ishte rritja e partive të djathta ekstreme, ndonëse partitë e qendrës liberale dhe socialiste ruajtën shumicën në Parlament.
Në një prononcim për UBTnews profesori Veton Zejnullahu thotë se këto rezultate ishin të pritshme si rezultat i nisjes së luftës në Ukrainë dhe çështjes së emigracionit në disa vende.
“Mirëpo ajo se çfarë e karakterizon këto zgjedhje është se vendet demokratike si Franca dhe Blegjika menjëherë pas këtij rezultati kanë shpallur zgjedhjet nacionale, do të thotë demokracia në nivelin e lartë, udhëheqësit e tyre e dërgojnë vetën e tyre në verifikim para sovranit”, deklaroi ai.
Por sa paraqet rrezik për demokracinë brenda Bashkimit Evropian rritja e këtyre partive të djathta?
“Unë mendoj se rreziku ekziston sa këto janë në opozitë, në momentin pastaj kur vijnë në pushtet automatikisht ndërrojnë qëndrimet, sepse pushteti po mbushet me përgjegjësi edhe më e lehtë të flasësh në opozitë se sa kur vjen në pushtet, sepse janë obligime të cilat i kalojnë qëndrimet paraprake dhe rasti më i mirë është ai i Italisë”, deklaroi ai tutje.
Rritja e tyre nuk pritet të ketë ndikim as në proceset integruese të Kosovës.
“Kosovën nuk e rrezikojnë këto parti sepse zakonisht janë vende të cilat e kanë njohur shtetin tonë si shtet edhe fitorja e djathta do të thotë edhe atyre ekstreme nuk e prek zgjerimin e Bashkimit Evropian, ajo ka më shumë të bëjë me politikat e emigracionit dhe do të ndalë emigracionin në disa vende të ndryshme sesa që ka të bëjë me zgjerimin e Bashkimit Evropian, megjithatë këto janë parti të cilat e përkrahin vlerat e përbashkëta evropiane”, tha Zejnullahu.
Partitë e të djathtës ekstreme shënuan rritje të konsiderueshme në Gjermani, Austri dhe Francë. Parlamenti Evropian ka 720 deputetë, ndërkaq seanca konstituive do të mbahet më 16 korrik./UBTNews/
Realizoi: Dea Berisha