Të ushqyerit e shëndetshëm është një nga dobitë më të mëdha që mund t’i bëjmë trupit tonë. Ushqyerja me vitamina dhe minerale bënë që trupi jonë të funksionojë në mënyrë normale dhe pa probleme. E në kohë pandemie, trupi jonë më shumë se kurrë ka nevojë për vitamina të cilat ndikojnë në rritjen e imunitetit.
Nutricionistja Dafina Demolli, ish-studente e UBT-së në drejtimin Shkenca të Ushqimit dhe Bioteknologji, e ftuar në emisionin “STOP” në Radio Campus tregoi detajisht për rëndësinë që kanë ushqimet gjatë kësaj periudhe, ku rritja e imunitetit ka rëndësi të madhe.
“Kemi një laramani të ushqimeve që rrisin imunitetin. Të gjitha ushqimet që përmbajnë vitaminë C, si psh, tani që edhe jemi në sezonën e dimrit dhe kemi frutat sezonale si mandarina, portokalli, grejpfruti të cilat kanë sasi të lartë të vitaminës C. Kivi, luleshtrydhet, limoni dhe speci i kuq, kanë sasi të lartë të vitaminës C, brokoli ka vitamina dhe minerale dhe po ashtu është i pasur dhe me antioksidantë. Hudhra gjithashtu është një ushqim që ndikon në rritjen e imunitetit”, u shpreh ajo.
Tutje ajo tregoi se edhe xhinxheri, spinaqi, jogurti, bademat, lajthitë dhe çaji i gjelbër, janë të rëndësishme për sistemin imunitar.
Demolli në vazhdim tregoi edhe për arsyet e tjera pse duhet të përdoren frutat dhe perimet e lartpërmendura.
“Gjatë sezonit të dimrit jemi më të atakuar ndaj viruseve dhe ne duhet të marrim ushqime që rrisin imunitetin, pra ato të pasura me vitaminë C, zink, jod dhe vitaminë B12 dhe siç e përmenda tërshërën e ngrohtë apo edhe disa gjellra që konsumohen të ngrohta, pasi që temperaturat janë të ulëta dhe na duhen edhe ushqimet nga jashtë për ta mbajtur temperaturën e trupit në normale që është 37 gradë celsius”, vazhdoi Demolli./UBTNews