Vetëm gjatë periudhës janar-nëntor 2023 janë regjistruar rreth 21 mijë e 370 aksidente në nivel vendi, ku 88 ishin me përfundim fatal – 96 persona të vdekur, 7 mijë e 988 me lëndime dhe 15 mijë e 459 të lënduar, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës.
Ekspertët e komunikacionit i shohin këto shifra si shqetësuese dhe thonë se shkaktarë kryesorë janë mosrespektimi i rregullave dhe tejkalimi i shpejtësisë.
Muhamet Krasniqi, ekspert komunikacioni, thotë se aksidentet janë dukuri shqetësuese, pasi një e treta e atyre që përfundojnë me fatalitet janë vetaksidente.
“Janë shumë faktorë pse ndodhin aksidentet, por kryesisht janë manipulimet, teknikat jo adekuate në ngasjen e mjetit motorik dhe mosrespektimi i shenjave dhe rregullave të qarkullimit rrugor… Vetaksidentet janë dukuri tashmë shqetësuese, sepse në bazë të statistikave të policisë, i bie që një e treta e aksidenteve me fatalitet janë aksidente të tipit vetaksidente, të cilat janë jo vetëm të rrezikshme dhe jo vetëm që ulin sigurinë në rrugë, jo vetëm të rrezikshme për vetaksidentuesin, por mund të jenë edhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik”, tha Krasniqi.
Krasniqi thotë se që personat e aksidentuar u takojnë gjeneratave të reja, teksa bën thirrje që ngasësit e automjeteve të tregohen të kujdesshëm dhe të ruajnë veten dhe pjesëmarrësit tjerë në trafikun rrugor.
“Personat që ngasin shpejt duhet të kenë kujdes, jo vetëm të ruajnë veten e tyre, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafikun rrugor. Ky vit që po e lëmë pas, ishte një vit ku ndodhën një sërë aksidentesh, ku mbi bazën e njohurive që kemi dhe të dhënave zyrtare nga këto aksidente, faktori shpejtësi ka qenë shkaktari kryesor i këtyre aksidenteve në trafikun rrugor, domethënë tejkalimi i përkufizimit të shpejtësisë të segmenteve të caktuara rrugore ka shkaktuar aksidente dhe jo gjithmonë kanë kaluar lehtë, mirëpo kemi të lënduar dhe me fatalitet e më e rënda është që këta të aksidentuar janë gjenerata të reja dhe aty ka përfunduar adrenalina e meraku i tyre”, u shpreh ai.
Policia e Kosovës në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore po e zbaton urdhrin operativ “Siguria në trafikun rrugor 2023”, duke realizuar pika kontrolli të automjeteve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar-nëntor 2023 janë regjistruar gjithsej 21 mijë e 370 aksidente, ndërsa në vitin 2022 në total janë 18 mijë e 886 ose 2 mijë e 484 aksidente më shumë.