Në muajin gusht 2023 nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 810 familje me gjithsej 81 mijë 903 anëtarë, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 24 mijë e 627 familje me gjithsej 97 mijë e 124 anëtarë, vërehet një rënie e numrit të familjeve përfituese nga kjo skemë për 3 mijë e 817, ose 15,5 për qind.
Ndërsa, në komunikatën për media lidhur me publikimin e Statistikave të Mirëqenies Sociale për muajin gusht 2023 thuhet se ka rritje të përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë.
“Në muajin gusht 2023, krahasuar me muajin gusht 2022 kishte rritje të përfituesve nga: Skema e pensioneve bazike të moshës 18,1%, skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik 16,1%, skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara 14,7%, skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) 10,7%, skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara 7,1%, skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës 5,6%, skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 5,3%, skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) 2,8%, skema për veteranët e luftës 0,2%”, thuhet në komunikatë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Sipas këtij raporti ka rënie të përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë.
“Në muajin gusht 2023, krahasuar me muajin gusht 2022, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet e Trepçës 18,6%, skema për pensionet invalidore 18,0%, skema për pensionet familjare 9,6%, skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës 1,6%, skema e kompensimeve për personat e verbër 0,2%”, bën të ditur ASK.