UBT News

Rritet numri i viktimave në Poloni, të paktën gjashtë të vrarë nga të shtënat në Krakov

Numri i viktimave nga të shtënat me armë zjarri në Poloni është rritur sërish.

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat në qytetin jugor të Krakovit, ka bërë të ditur administrata rajonale, raporton SkyNews.

Ndërkohë, të paktën 15 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Më herët, policia kishte raportuar për të paktën pesë viktima dhe rreth një duzinë të plagosurish, transmeton Ekonomia Online

Ndwrkobw, agjencia Kosovapress ka njoftuar se autori i vrasjes së gjashtë personave sot në qendër të Krakov ishte i veshur me uniformë kamuflazh dhe, sipas portalit polak Wirtualna Polska, ai mbante veshur edhe një jelek antiplumb.

Ish-specialisti i policisë kundër terrorizmit Kuba Jaloszyński beson se pajisjet dhe armët e tij tregojnë se ai po përgatitej për sulm. Deri më tani, policia nuk ka konfirmuar veçmas se ai mbante veshur një jelek antiplumb balistik.

Zëdhënësja e policisë së Krakow, Katarzyna Cislo, konfirmoi për TVN24 se disa armë zjarri dhe municione të tjera u gjetën në veturën e sulmuesit.

Mediat polake raportojnë gjithashtu se vetura është ekzaminuar nga ekspertët e policisë për eksplozivë. Ende nuk është njoftuar saktësisht se çfarë arme ishte, sa u gjetën ose si e siguroi sulmuesi atë.

Sulmi ndodhi sot rreth orës 3 pasdite në qendrën historike të Krakov. Një burrë e drejtoi veturën e tij në sheshin kryesor të qytetit, Rynek Główny, dhe filloi të qëllonte kalimtarët. Ndërsa udhëtonte nëpër qytet, ai qëlloi gjithashtu në një tramvaj të transportit publik, duke thyer dritaren e kabinës së shoferit.

Policia qëlloi dhe plagosi sulmuesin gjatë ndërhyrjes, pas së cilës ai u arrestua dhe u dërgua në spital, ku thuhet se është në gjendje kritike. Dy oficerë policie u plagosën gjithashtu në shkëmbimin e zjarrit. Njëri prej tyre pësoi tri plagë me armë zjarri dhe është në gjendje kritike.

Policia konfirmoi se sulmuesi është shtetas polak dhe mohoi thashethemet se një polic u vra dhe se një sulmues i dytë është në kërkim. Identiteti i të dyshuarit nuk është publikuar ende zyrtarisht. Mediat polake raportojnë se ai është një burrë i moshës 25-vjeç. Policia ende nuk e ka përcaktuar motivin e sulmit.

Exit mobile version