Në tremujorin e parë të këtij vit ështët rritur numri i përfituesve nga skemat e pensioneve për veteranët e luftës. Në muajin mars të këtij viti përfituan pensione 36 mijë e 826 veteranë të UÇK-së ose 59 më shumë se në janar të këtij viti.
Statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë se në janar kishin përfituar 36 mijë e 767 veteranë dhe në shkurt 36 mijë e 821.
Sipas skemës së pensioneve për veteranët e luftës nëpër komuna të Kosovës, numri më i madh është nga Deçani me 4.051, pastaj Peja me 3.675, Gjakova me 3.360, Prishtina me 2.731, Skenderaj me 2.616, Prizreni me 2.074 dhe Podujeva me 1.984.
Nga buxheti i shtetit, çdo muaj paguhen rreth 6 milionë 260 mijë euro për këtë kategori të skemës pensionale.
Ndërkohë, krahasuar me dy vitet e kaluara, ka një rënie të numrit të përfituesve nga kjo kategori, ku kishte arrit numri mbi 38 mijë.
Sipas raportit të fundit të ASK-së, sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë muajit mars 2023: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21 mijë e 948 familje me gjithsej 86 945 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 3 mijë e 88 familje.