Ofrimi i mundësisë për vaksinim të grup-moshave të ndryshme ka rritur interesimin e qytetarëve për t’u vaksinuar kundër COVID-19.
Deri më tani në Kosovë janë vaksinuar me dozën e parë 25% e qytetarëve, ndërsa edhe dozën e dytë e kanë marrë rreth 14%. Me këtë ritëm të vaksinimit nga Ministria e Shëndetësisë thonë se deri në fund të vitit do të arrijnë që ta realizojnë objektivin e tyre për imunizim të 60% të popullatës.
Në një intervistë për KosovaPress, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se autoritetet shtetërore kanë krijuar mundësi të mira për vaksinim.
“Duke qenë që Ministria e Shëndetësisë ka hequr çdo kufizim të moshës për vaksinim të qytetarëve me vaksinën dhe u ka mundësuar të gjithë qytetarëve mbi moshën 18 vjet që të vaksinohen interesimi i vaksinimit kundër COVID-19 është rritur ndjeshëm. […] Interesimi është rritur, ministria ka krijuar mundësi të mira për vaksinim për faktin se u ka ofruar mundësi që të zgjedhin vaksinën që duan ta marrin ka mundësuar edhe kombinim të vaksinave nëse duan ta bëjnë këtë qytetarët dhe procedurat për caktimin e terminëve janë fare të thjeshta”, tha ai.
Tutje, Hoti tregoi se deri më tani në Kosovë prijnë meshkujt për nga shifra e vaksinimit me 53%, ndërsa 47% e femrave janë vaksinuar kundër coronavirusit.
Ai thotë se komuna e Prishtinës prin me numrin më të madh të të vaksinuarve, e pasuar nga Obiliqi, Fushë-Kosova, Gjakova e Kamenica.
Zëdhënësi i MSh-së për KosovaPress deklaroi se deri tani 25% e qytetarëve e kanë dozën e parë të vaksinës anit-COVID, ndërsa 14% janë imunizuar edhe me dozën e dytë të vaksinës.
“Ne mund të themi se me dozën e parë janë të vaksinuar diku rreth 25% e popullatës, me dozën e dytë përqindja shkon në 13 deri në 14% mirëpo këto përqindje duhet t’i ngirisim në ditët në vijim objektivi është që deri në fund të vitit 60% e popullsisë të jenë të vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19 po flas për grupacionet që u takojnë grupmoshave dhe kategorive që duhet vaksinuar”, u shpreh zëdhënësi i MSh-së.
Meqenëse Kosova po shënon rritje të rasteve pozitive me coronavirus, ku kryesisht po dominon infektimi me variantin Delta, lidhur me mundësinë e ashpërsimit të masave, zëdhënësi i MSh-së, Faik Hoti thotë se kjo do varet nga situata epidemiologjike dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.