Pushtimi i Ukrainës nga Rusia u përshkua me largimin e miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre për çështje sigurie në shtetet fqinje, në atë që Kombet e Bashkuara e përshkruan si kriza më e keqe e refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Një nga këto shtete, Portugalia, besohet se ka pritur mbi 58 mijë ukrainas, nga të cilët rreth një e katërta janë të mitur. Por vetëm rreth 32 për qind e këtyre fëmijëve vijojnë mësimin në nivel lokal.
Olena Lukina ishte shtatzënë kur udhëtoi nga shtëpia e saj në Ukrainë në fillim të luftës vitin e kaluar me të birin Dmytro. Ai nuk po vijon mësimin në shkollë portugeze.
“Ai kaloi një ditë në shkollë, por nuk kishte djem apo vajza të tjera ukrainase, kështu që ai ishte i trishtuar për këtë fakt. Gjithashtu, ai ishte pak i frikësuar sepse nuk e kuptonte gjuhën portugeze. Prandaj vendosëm të mos e traumatizojmë dhe ta lëmë të vijojë mësimet online në një shkollë ukrainase”, tha Olena.
Çdo ditë, nga ora gjashtë e mëngjesit, 10-vjeçari Dmytro ndjek mësimet online nga shkolla që ndiqte më parë në Ukrainë. Ndonjëherë ato ndërpriten nga bombardimet ose ndërprerjet e energjisë elektrike. Ai tha se i mungon shkolla në vendlindjen e tij.
“Po, kam miq në Portugali. Ata janë gjithashtu ukrainas. I takova kur luanim në natyrë. Gjithashtu shkoj në shkolla ukrainase çdo të shtunë dhe kam miq atje”, thotë ai.
Shoqata e ukrainasve në Portugali tha se ka një arsye pse shumë familje ukrainase nuk po i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat lokale.
“Disa thonë se qëllimi i tyre është të kthehen në Ukrainë. Të tjerë shpjegojnë se do ta përfundojnë këtë vit shkollor në shkollën ukrainase (online) dhe më pas kur fëmijët e tyre të kuptojnë më mirë portugalisht, në fillim të shtatorit, ata do të shkojnë në një shkollë lokale”, thotë Alyona Smertina, e cila punon në këtë shoqatë.
Në fillim të vitit të ri shkollor, Ministria e Edukimit në Portugali shprehu shqetësim mbi numrin e vogël të nxënësve ukrainas që vijojnë mësimin në shkollat portugeze./UBTNews/