UBT News

Rriten rastet e dhunës në familje: 9 raste të raportuara brenda dy ditësh në Kosovë

Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje në Fushë Kosovë, Prishtinë, Kamenicë, Novobërdë, Deçan, Pejë dhe Malishevë, të ndodhura më 27 dhe 28 tetor.

Në Fushë Kosovë, një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, e cila ka pranuar trajtim mjekësor. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në Prishtinë janë raportuar tri raste. Në rastin e parë, një grua ka raportuar se ish-partneri i saj me të cilin kishte bashkëjetuar kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Në një rast tjetër, një burrë dyshohet se ka sulmuar vajzën e tij, e cila ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari nuk është takuar nga policia. Po ashtu, një burrë është arrestuar nën dyshimin se e ka kërcënuar me video-incizime një grua me të cilën ishte në lidhje dashurie. Ai është dërguar në mbajtje.

Në Kamenicë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Novobërdë, një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht vajzën e tij të mitur, e cila ka çrregullime mendore. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në Deçan, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj ushtronte vazhdimisht dhunë psikike ndaj saj. Gjatë intervistimit, i dyshuari ka deklaruar se posedonte një armë automatike. Policia ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka sekuestruar armën, së bashku me një karikator të zbrazët. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt.

Në Pejë, një grua është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj pas një mosmarrëveshjeje familjare. Të dy janë intervistuar, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Malishevë, një grua është arrestuar nën dyshimin se e ka kanosur djalin e saj pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një kontest pronësor. Me vendim të prokurorit, ajo është dërguar në mbajtje për 48 orë.

/A.K/

Exit mobile version