Nafta e papërpunuar ndërkombëtare ‘Brent’ u tregtua me 89,32 dollarë për fuçi në orën 10:03 të mëngjesit sipas orës lokale (0703 GMT), një rritje prej 1,58% nga çmimi i mbylljes prej 87,93 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të enjten.
Standardi amerikan ‘West Texas Intermediate’ (WTI) tregtohej në të njëjtën kohë me 84,58 dollarë për fuçi, 1,65% më shumë nga mbyllja e së enjtes prej 83,21 dollarë për fuçi, shkruan AA.
Mungesa e furnizimeve mbetet fokusi në tregjet e naftës. Konflikti i vazhdueshëm midis Palestinës dhe Izraelit po krijon frikë për mundësinë e një përhapjeje rajonale, duke rrezikuar dëmtimin e infrastrukturës dhe rrjedhimisht duke thelluar deficitin e furnizimit të parashikuar për pjesën tjetër të vitit.
Ushtria amerikane nisi sulme ajrore në dy objekte të përdorura nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe grupet e lidhura në Sirinë lindore, tha të enjten Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Zëdhënësi i Pentagonit Pat Ryder tha të enjten se midis 17 dhe 26 tetorit, forcat e SHBA-së dhe të koalicionit janë sulmuar të paktën 12 herë në Irak dhe katër herë në Siri.
“Ne e dimë se këto grupe janë të lidhura me Iranin”, tha Ryder pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ai gjithashtu konfirmoi se “afërsisht 900 trupa janë vendosur ose janë në proces të vendosjes” në Lindjen e Mesme.