Në Evropë po rritet gjuha e urrejtjes që ka në shënjestër myslimanët dhe hebrenjtë me përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, deklaroi një zyrtare e Bashkimit Evropian.
“Jemi dëshmitarë të një trend shumë të qartë në rritje të urrejtjes anti-myslimane dhe narrativave antisemitike. Kjo gjuhë e urrejtjes varion nga mikroagresionet deri te kërcënimet e qarta dhe ne jemi dëshmitarë që shumica e saj po shfaqet në platformat e rrjeteve sociale”, tha Marion Lalisse për Al Jazeera.
“Urrejtja kundër myslimanëve në veçanti, shfaqet me stereotipe negative ku myslimanët konsiderohen grup monolit i përfshirë në dhunë. Paragjykime të tilla janë shpërndarë përreth vendeve të BE-së”, deklaroi ajo tutje.
Sipas saj, duhet të bëhen hulumtime mbi atë se si po edukohen evropianët mbi myslimanët dhe Islamin.
“U rrita në zonat rurale të Francës që është shumë ndryshe dhe unë mësova rreth religjionit dhe kulturës së myslimanëve në atë formë që s’i portretizon ata si kërcënim. Prandaj në rolin tim për të luftuar urrejtjen anti-myslimane, ne po financojmë projekte që lidhen me kujtimin e së kaluarës dhe duke analizuar sesi librat e historisë në shkolla dhe universitete në Evropë i portretizojnë myslimanët”, shtoi ajo tutje.
Sipas Human Rights Watch, përveç Britanisë së Madhe, vendet e tjera evropiane nuk kanë publikuar statistika për incidentet islamofobike të raportuara, të cilat gjithashtu janë rritur që nga 7 tetori./UBTNews/