UBT News

RrGK: Vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional në trajtimin e dhunës

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me vrasjen e sotme të një gruaje 63-vjeçare nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar.

Në reagimin dërguar mediave, RrGK-ja thekson se “vrasja e 63-vjeçares në Prishtinë, vetëm se shpërfaq dhe thekson pasojat e rrënjosura të normave patriarkale dhe kulturore në kuadër të të cilave gratë vriten vetëm pse janë gra”.

Tutje thuhet se gratë po jetojnë në ambiente kërcënuese në Kosovë.

“Masat rehabilituese për abuzues ende nuk ekzistojnë dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore vazhdojnë të mbesin pa rrugëdalje nga dhuna e përsëritur. Njëherësh, punësimi i grave dhe trashëgimi i pronës mbesin ndër më të ulëtat në Ballkan dhe kjo i mban gratë të lidhura në ambiente abuzuese. Vlerësimet e rrezikshmërisë nga ana e zyrtarëve policorë janë të dobëta dhe pasojnë me raste recidiviste. Dënimet nga gjykatat vazhdojnë të jenë të ulëta dhe absurde duke rikthyer në gjykim personat përgjegjës për vrasje brutale të grave dhe duke u dhënë të njëjtëve rrethana lehtësuese përgjatë procedurës penale”, thotë kjo organizatë.

Kjo hallkë e rrethanave, thotë RrGK-ja, na tregon se “vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore si çështje parësore, në kuadër të sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi”.

RrGK-ja kërkon që të shqiptohen masa ndëshkuese maksimale ndaj dhunuesve në baza gjinore dhe të mos merren në konsideratë si masa lehtësuese dorëzimi i tij në polici dhe mosha e dhunuesit, “siç është praktikë të konsiderohen këto të fundit nga gjykatat”.

RrGK-ja u zotua se do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore. 

Exit mobile version