Rrejti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për anulim të dënimit me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Ferizajt për Naser Pajazitajn, i cili e ka vrarë Donjeta Pajazitajn.
RrGK në një komunikatë për media ka thënë se nuk ka drejtësi për gratë kur nuk ka dënime për vrasësit.
Si rrjedhojë, organizata për të drejtat e grave ka kërkuar që që të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese në rastin e Naser Pajazitajt dhe të kthehet në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm për të, duke mos lënë hapësirë për rigjykim.
“Vendime si ky vetëm sa motivojnë dhunuesit e vrasësit e grave, kurse demotivojnë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë për t’i raportuar krimet e për të kërkuar drejtësi për to. Përmes kësaj kumtese, RrGK kërkon që të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese në rastin e Naser Pajazitajt dhe të kthehet në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm për të. Po ashtu, procesi nuk duhet të lë hapësirë për rigjykim”, thuhet në komunikatë.
Që prej vrasjes së Donjeta Pajazitajt, RrGK ka bërë përpjekje të vazhdueshme përmes protestave, monitorimeve dhe reagimeve, që drejtësia të vihet në vend dhe vrasësi të marrë dënimin e merituar.
RrGK do ta monitorojë edhe këtë rast për së afërmi dhe do të kërkojë drejtësi për Donjeta Pajazitajn, dhe për secilën grua të dhunuar e të vrarë.