Gjatë ditës së enjte një 23-vjeçare ka pësuar lëndime nga rrëzimi i kulmit të ndërtesës së komunës së Prishtinës, e cila po vazhdon trajtimin në Mjekimin Intensiv Qendror (MIQ). Kurse për gjendjen e saj ka folur shefi i MIQ-it, Shaqir Uka.
Ai ka deklaruar se vajza ka pësuar lëndime trupore në regjionin e kokës dhe se ajo i është nënshtruar ekzaminimeve laboratorike dhe radiologjike. Pas intervenimit kirurgjik, pacientja është dërguar në njësinë e mjekimit intensiv qendror ku po vazhdon trajtimin.
“Pacientja është sjellë dje rreth paradites në Qendrën Klinike Universitare, gjegjësisht në Qendrën Emergjente pas lëndimeve që ka pësuar në rastin e goditjes në regjionin e kokës pranë komunës së re… Pacientja pas nënshtrimit të ekzaminimeve laboratorike dhe radiologjike i është nënshtuar një intervenimi kirurgjik për arsyeje të gjakderdhjes që ka pasur në regjionin e kokës, dhe intervenimi është kryer nga ana e mjekëve specialistë të neurokirurgjisë. Pas kryerjes së intervenimit kirurgjik pacientja është sjell në njësinë e mjekimit intensiv qendror ku vazhdon tretmanin e mëtutjeshëm mjekësor”, tha ai.
“Lëndimet janë në regjionin e kokës. Ka edhe lëndime të një unazës së pjesës së qafës dhe dy unazave të pjesës torakale, gjegjësisht pjesës së gjoksit. Ka edhe një lëndim të kockës së dorës së djathtë, lëndime të cila nuk ka nevojë për trajtim kirurgjik. Ajo vazhdon të qëndrojë në gjumë me barna dhe e varur me aparatura mjekësore, paraqitet për momentin në gjendje relativisht stabile pavarësisht që lëndimet janë serioze”, u shpreh ai.
I pyetur se a ka rrezik për jetë vajza, Uka u shpreh se lëndimet janë serioze.
“Tani nuk mundemi të konstatojmë për rrezikshmërinë e jetës së saj sepse janë momentet e para pas lëndimet dhe lëndimet janë serioze”, përfundoi ai.