Temperatura të larta janë duke u regjistruar ditëve të fundit në vend. Si shkak i kësaj policia rajonale e Pejës ka një apel për qytetarët. Krejt kjo duke pas parasysh rrezikun e përgjithshëm që mund të shkaktojnë zjarret.
Policia ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin ndezjen e zjarreve.
“Duke iu referuar temperaturave të larta gjatë këtyre ditëve, dhe përvojave nga vitet e kaluara, zjarret shkaktojnë rrezikim të përgjithshëm dhe pasoja të rënda kudo që shfaqen. Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë apo lajmërojnë autoritetet për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të tilla të zjarrëvenieve”, thuhet në komunikatën e Policisë së Pejës.
Ndërsa ndaj të gjithë atyre që rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, do të ndërmerren masa ligjore.
“Policia e Kosovës do të ndërmerr masa ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht apo përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme”, thuhet më tutje në komunikatë.
“Apelojmё tё tё gjithё qytetarёt tё cilёt frekuentojnё zonat malore tё rajonit tё Pejёs, e nё veçanti Bjeshkёt e Nemuna qё maksimalisht tё jenё tё kujdesshёm dhe tё pёrmbahen çdo aktivitet qё mund tё shkaktoj zjarre gjatё pёrdorimit si ( shkrepsa, cigare, grilla, zjarre nё natyrё etj)”, thuhet në komunikatën e Policisë.