Nga dje në Komunën e Gjilanit ka nisur vaksinimi i personave mbi moshën 85-vjeçare, e deri tash janë vaksinuar afër 60 persona.
Shefi i shërbimit të vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Dardania” në Gjilan, Ismet Uruqi, tha se bazuar në regjistrin e tyre në këtë komunë janë mbi 800 persona mbi moshën 85 vjeçare.
Ai tha se të njëjtit janë regjistruar dhe tashmë në bazë të kritereve të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë thirren për të marr vaksinën antiCOVID. Deri më tash, Uruqi tha se nuk kanë pasur asnjë problem të shfaqur tek personat e vaksinuar.
“Nga dita e djeshme sipas instruksioneve të Ministrisë së Shëndetësisë kemi filluar me vaksinimin e moshave të vjetra. Këto ditë jemi duke punuar me moshat mbi 85, do të thotë ditën e djeshme dhe sot kemi vaksinuar dje dhe sot kemi vaksinuar afër 60 persona të moshës mbi 85. Edhe nesër do të punojmë me grupacione mbi 85 vjeç, ndërsa nga pasnesër tri ditë do të punojmë me grupmoshën 80-84”, tha ai.
Ai tha se kjo kategori po vaksinohet në bazë të termineve që po u caktojnë, në mënyrë që të mos krijohen tollovi dhe të rrezikohet shëndeti i tyre.
“Ne kemi bërë një lajmërim publik edhe në media edhe nëpër objekte shëndetësore që personat të moshave të shtyra të lajmërohen, janë lajmëruar ata qoftë edhe familjarët e tyre, i kemi regjistruar në regjistra ju kemi marrë adresat dhe numrin e telefonit. Tani jemi duke i thirr nga regjistrat tanë, por strikt sipas grupmoshave me kategorizime që i ka bërë Ministria e Shëndetësisë. Ne në Gjilan i kemi diku rreth 800 persona të regjistruar nëpër të gjitha objektet e QKMF-ve nëpër qytet dhe fshatra ata janë lajmëruar, tani thirren sipas prioriteteve sipas regjistrit emrat që i kanë. Një pjesë e vogël na kanë ardhur diku 10 emra nga sistemi online eKosova”, tha ai.
Uruqi tha se deri më tash kanë vaksinuar 60 të moshuar dhe se tek asnjëri prej tyre nuk është shfaqur ndonjë efekt anësor nga vaksina.
Një nga personat e thirrur sot për t’u vaksinuar ishte edhe qytetarja Shehide Zeneli, e cila pasi që mori vaksinën tha se tashmë do të ndihet më e sigurt nga COVID-19.
“Mirë, njëherë mirë. Na kanë thirr edhe u lajmërua djali për neve. Po ashtu mbajmë shpresë me qenë më të mbrojtur”, tha ajo.
Asnjë dilemë për ta marrë vaksinën antiCOVID nuk e ka pasur qytetarja e Gjilanit, Nexhmije Sherifi, e cila pasi mori vaksinën tha se po ndjehet shumë mirë.
“Jo nuk kam pasë asnjë dyshim për me marrë vaksinën e as frikë, po pyetsha se kur vjen me e marrë”, tha ajo.
Komuna e Gjilanit, nga kontingjenti i parë i vaksinave AstraZeneca si donacion i COVAX, ka pranuar 980 doza, ndërsa ka vaksinuar deri më tash mbi 350 punëtorë shëndetësorë.
Në Kosovë kanë arritur dozat e para të vaksinës me 28 mars, ndërsa nga data 8 prill ka nisur vaksinimi i grupmoshave mbi 80-vjeçare.