UBT News

Rreth 6 mijë protestues pritet të marrin pjesë në protestën e OVL-UÇK-së në Strasburg

Në protestën e paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) më 16 nëntor në Strasburg, pritet të marrin pjesë rreth 6 mijë protestues nga gjitha trojet shqiptare. 

Protesta do të mbahet përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës në shenjë kundërshtimi ndaj padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se përgatitjet janë drejt përfundimit dhe se janë bërë koordinime me këshillin organizativ në Evropë dhe me mërgatën shqiptare.

“Ne jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve, është këshilli organizativ në Evropë që e kemi bërë para disa ditësh, kemi pasur takime me shumicën e shteteve të Evropës me mërgatën, kjo mërgatë është për lavdatë që na ka ndihmuar në këtë rast. Ne shprehom që me datë 16 nëntor në ora 13:00 para Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, do të jemi prezent aty dhe do të ngrisim zërin pikërisht ku në atë objekt është ngritur një rezolutë për Gjykatën Speciale, një rezolutë e një njeriu të çmendur të Dick Marty, i cili ka mashtruar deputetë e Evropës me një dokumentacion, me një shpifje me ambasadorin serb dhe ambasadorin rus dhe e ka bërë atë rezolutë që gjoja në Shqipëri ka ekzistuar një shtëpi e verdhë. Kjo është një gjykatë e njëanshme, një gjykatë e padrejtë, ku në botë nuk ekziston gjykatë e njëanshme,” tha ai.

Sipas tij, shumë pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë siguruar bileta lirë për në Bazel dhe Stuttgart.

“Sipas informacioneve, nga Prishtina nuk besoj që do të ketë autobusë, kanë gjetur bileta lirë nga Tirana dhe Shkupi, kanë gjetur për Bazel edhe Stuttgart kanë marrë bileta shumë lirë, që fati i jonë dhe i qytetarëve që do të udhëtojnë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria kanë gjetur bileta për Bazel të Zvicrës kanë gjetur shumë lirë. Është një numër bukur i madh, kryetari i këshillit organizativ atje, ne presim që numri të jetë mbi 5 deri 6 mijë veta, të jenë para Strasburgut atë ditë. Nga Kosova besoj do të kalojë numri mbi 1000 udhëtarë që do të vijnë,” tha Gucati.

Gucati tha se të gjitha hotelet në Strasburg tashmë janë të rezervuara nga shqiptarët që kanë konfirmuar pjesëmarrjen, duke shtuar se shumë prej tyre janë detyruar të rezervojnë në periferi.

“Në Strasburg kemi informacione të sakta, nuk ka vend në hotele, që kanë bërë rezervimin shqiptarët, e kanë bllokuar Strasburgun. Na kanë lajmëruar se më nuk ka vend, tash janë duke u larguar në periferi apo qytete të tjera duke marrë hotele, shqiptarët kanë shkuar deri në Kolmar. Ne nuk kemi besuar që edhe në Holandë do të bëhen mbi 6 mijë protestues, por janë bërë 11 mijë e 500 sipas raportit policor. Ne nuk kemi besuar as për Tiranë, mbi 82 mijë, 47 mijë protestues kanë qenë në Prishtinë atë ditë,” tha Gucati.

Ai theksoi se organizatat e dala nga lufta nuk kanë marrë asnjë ndihmë financiare nga qeveria dhe se të gjitha aktivitetet janë mbështetur nga donatorë.

“Organizatat e dala nga lufta nuk kanë pare, qeveri as një lekë nuk na ka ndihmuar deri më sot. Në Holandë prapë na kanë ndihmuar donatorët,” u shpreh ai./S.K/EO/

Exit mobile version