UBT News

Rreth 50 mijë persona protestuan kundër antisemitizmit në Londër

Rreth 50 mijë persona marshuan në Londër të dielën në shenjë proteste ndaj rritjes së krimeve të urrejtjes ndaj hebrenjve qëkur nisi sulmi nga militantët e Hamasit në Izrael gjatë muajit tetor dhe bombardimet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza.

Protestuesit mbanin pllakarta me mesazhet “Krah për krah me hebrenjtë britanikë” dhe “zero tolerancë për antisemitizmin”. Të tjerët shfaqën fytyrat e pengjeve izraelite që po mbahen nga grupi militant palestinez i Hamasit.

Disa njerëz kënduan në hebraisht derisa të tjerët bënë thirrje “Ktheni ata në shtëpi”, duke iu referuar pengjeve.

“Jam këtu për ta përkrahur komunitetin tim hebre dhe mendoj se ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin, në të kundërtën kush do të na mbrojë, e dini?”, tha studenti Avraham El Hay.

Policia metropolitane e Londrës pranoi raporte për 554 vepra antisemitike mes 1 tetorit dhe 1 nëntorit, krahasuar me 44 sosh që u regjistruan vitin e kaluar. Gjithashtu policia regjistroi edhe 220 sulme islamofobike gjatë kësaj periudhe./UBTNews/

Exit mobile version