UBT News

Rreth 450 afganë arritën deri të premten në Kosovë

Deri të premten (3 shtator) në Kosovë kanë arritur afërsisht 450 refugjatë afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Afganët të cilët vijnë në Kosovë, do të qëndrojnë derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet anëtar të NATO-s.

Në Kosovë të dielën (29 gusht) arriti grupi i parë prej 111 qytetarëve të parë afganë, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin.

Kosova ka qenë ndër vendet e para që ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, më herët pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë se rreth 2,000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë.

“Strehimi i tyre është i përkohshëm edhe bazuar në vendimet e qeverisë. Ne kemi marrë zotimin e aleatëve tanë që strehimi i tyre të zgjatë sa më shkurt që është e mundur. Bëhet fjalë për çështje javësh, mos të them muajsh”, ka thënë ai.

Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.

Vendi tashmë është nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban./REL

Exit mobile version