UBT News

Rreth 42 për qind e të rinjve duan të largohen nga Maqedonia e Veriut

Një studim i fundit i realizuar nga “Fondacioni Friedrich Ebert” tregon se rreth 42.67 për qind e të rinjve nga Maqedonia e Veriut shprehin dëshirën për t’u larguar nga vendi, kryesisht për shkak të kushteve të dobëta sociale, jetësore dhe ekonomike. Këto rezultate e vendosin Maqedoninë e Veriut në krye të listës së vendeve të Evropës Juglindore ku të rinjtë janë më të prirur të emigrojnë.

Pas Maqedonisë së Veriut, Bosnja dhe Hercegovina renditet e dyta me 31.18 për qind të të rinjve që do të emigronin, ndërsa në Shqipëri kjo përqindje është 36.9. Në Kroaci, 21.62 për qind e të rinjve gjithashtu shprehin nevojën për të lënë vendin e tyre.

Situata nuk është shumë ndryshe as në Kosovë, ku 27.83 për qind e të rinjve ndihen të pakënaqur me standardin e jetesës. Po ashtu, në Serbi dhe Slloveni, 25 për qind e të rinjve tregojnë dëshirën për t’u larguar, ndërsa në Greqi ky numër arrin në 31.26 për qind.

Sondazhi gjithashtu zbulon se në Bullgari dhe Rumani, gatishmëria e të rinjve për t’u larguar është më e ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Studimi është realizuar me një kampion prej 8.943 të rinjsh nga Evropa Juglindore, në moshën 14 deri në 29 vjeçare. Një nga arsyet kryesore që ata citojnë për dëshirën për të emigruar është kërkesa për paga më të mira, e cila përbën rreth 23 për qind të përgjigjeve.

Këto rezultate nënvizojnë sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen të rinjtë në rajon dhe nevojën për masa të qarta që mund të përmirësojnë standardet e jetesës dhe mundësitë ekonomike./UBTNews/

 

Exit mobile version