UBT News

Rreth 4 milionë mungesa në shkolla, Drejtoria e Arsimit nis aksion të gjerë në Prishtinë

Rreth katër milionë mungesa të nxënësve janë raportuar gjatë një gjysmëvjetori në komunën e Prishtinës, prej të cilave afro një milion konsiderohen të paarsyeshme.

Drejtori i Arsimit në kryeqytet, Samir Shahini, ka deklaruar se këto shifra përbëjnë një alarm serioz që kërkon reagim të menjëhershëm dhe nuk mund të trajtohen vetëm si statistikë. Ai ka bërë të ditur se stafi i Drejtorisë së Arsimit është angazhuar në një aksion të gjerë në shkollat fillore dhe të mesme të Prishtinës, me qëllim evidentimin e mungesave dhe verifikimin e masave që po ndërmerren nga institucionet arsimore.

“Shifrat që po shohim janë shqetësuese. Mungesat e paarsyeshme nuk janë vetëm orë të humbura mësimi, por sinjal për probleme më të thella dhe rrezik për të ardhmen e fëmijëve. Sipas raportimeve, në nivel vendi flitet për rreth 4 milionë mungesa në një gjysmëvjetor, prej tyre afro 1 milion të paarsyeshme. Kjo është një alarm që kërkon reagim të menjëhershëm,” ka shkruar Shahini në Facebook.

Ai ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do të ndërmerren hapa konkretë për të parandaluar mungesat e paarsyeshme dhe për të rritur përgjegjësinë në shkolla.

Exit mobile version