UBT News

Rreth 350 mijë njerëz aplikuan për azil në Gjermani në vitin 2023

Numri i personave që aplikuan për azil në Gjermani vitin e kaluar shkoi në 351 mijë e 915, një rritje prej 51.1% krahasuar me vitin paraprak.

Numri më i madh i azilkërkuesve ishte nga Siria, me 104 mijë e 561 aplikime, pasuar nga shtetasit turk me 62 mijë e 624 kërkesa për azil dhe afganët me 53 mijë e 582 sosh, konfirmoi të hënën Zyra Federale e Gjermanisë për Migrim dhe Refugjatë.

Migrimi është problem i madh politik për qeverinë dhe një çështje ‘e nxehtë’ në Gjermani për shkak se komunitetet lokale po përballen me vështirësi për strehimin e të sapo ardhurve.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili po përballet me presion të shumëfishtë nga opozita dhe të tjerët për ta ndalur trendin, tha se “shumë njerëz po vijnë”.

Në fund të vitit të kaluar, Scholz dhe 16 guvernatorët e shteteve u pajtuan për masa të reja dhe më të rrepta për të parandaluar numrin e lartë të emigrantëve që hyjnë në vend, duke arritur një marrëveshje e cila përfshin përshpejtimin e procedurave të azilit, kufizimet e përfitimeve për azilkërkuesit dhe më shumë ndihma financiare nga qeveria federale për shtetet dhe komunitetet lokale që merren me fluksin e migrantëve.

Gjithashtu Gjermania ka strehuar më shumë se 1 milion ukrainas që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë./UBTNews/

Exit mobile version