UBT News

Rreth 300 vatra zjarresh në 5 ditët e fundit, Metaj flet për situatën në Kosovë

Rreth 300 raste zjarresh janë regjistruar në Kosovë vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Genc Metaj, tha se gjatë kësaj periudhe ekipet kanë ndërhyrë në 295 raste zjarresh nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Në konferencën e thirrur për media, Metaj deklaroi se dita më e rënduar ka qenë 7 korriku, kur janë shënuar gjithsej 66 raste të zjarreve, prej të cilave 57 kanë ndodhur pasdite.

Metaj shtoi se situata është menaxhuar me sukses deri më tani, por rreziku mbetet i lartë për shkak të kushteve të motit.

Sipas tij, dyshohet që zjarrëvëniet mund të jenë të qëllimshme dhe shumica prej tyre janë toka bujqësore, e që pastaj shpërndahen edhe në zona malore.

Metaj tha se numri i zjarrëfikësve është i kënaqshëm, porse duhet të jetë edhe më i madh.

Drejtori i AME-së, Genc Metaj tregoi se aktualisht janë 3 vatra aktive, një në Pejë dhe dy në Skënderaj.

AME apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe bashkëpunim në parandalimin e zjarreve, duke shmangur ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura dhe duke raportuar çdo rast të dyshimtë.

Ndër të tjera, Metaj u shprehu ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe miqve për vdekjen e shefit të Operativës në Brigadën e Zjarrfikësve të Gjakovës, Kaqun Lima.

Exit mobile version