UBT News

Rreth 300 dëshmitarë pritet të dëshmojnë në gjyqin për tragjedinë e Koçanit

Hetimet për tragjedinë e ndodhur në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe rreth 200 të tjerë u lënduan, vazhdojnë ende, ndërsa Prokuroria ka përfshirë deri tani 34 persona fizik dhe 3 juridikë në hetimet përkatëse.

Rreth 300 dëshmitarë pritet të merren në pyetje për të zbardhur rrethanat e kësaj tragjedie, ndërkohë që ekipi hetues, përfshirë 11 prokurorë, po vazhdon mbledhjen e provave dhe sigurimin e ekspertizave nga fusha të ndryshme. Prokurori publik, Lupço Kocevski, kërkoi një hetim të plotë dhe efikas që do të shqyrtojë çdo aspekt të përgjegjësisë për këtë ngjarje tragjike.

 

Hetimi i ka lidhur përgjegjësitë në periudhën 2012-2025, gjatë së cilës diskoteka ka funksionuar dhe ka marrë licenca për aktivitet. Sipas Prokurorisë, janë përfshirë tre kryetarë të Komunës së Koçanit, të cilët, pavarësisht kushteve të pasigurta, kanë lejuar funksionimin e klubit.

Në hetim janë përfshirë gjithashtu edhe disa ministra të Ekonomisë dhe drejtorë të ndryshëm që kanë dhënë licencat e kabareve, disa prej të cilëve dyshohen për lidhje me ryshfete. Prokuroria ka ngritur akuza ndaj disa zyrtarëve të lartë të Inspektoratit të Tregut dhe të forcave policore, të cilët nuk kanë kryer kontrolle adekuate, si dhe disa zyrtarëve të lartë për dhënien e pajtueshmërisë për licencat.

Aktualisht, nuk ka fakte të plota që lidhen me përgjegjësinë e ministrave të Punëve të Brendshme apo të Drejtorisë për të Ardhurat Publike. Hetimi do të vazhdojë për të përcaktuar të gjithë ata që mund të kenë kontribuar në shkaktimin e kësaj tragjedie dhe për të ndihmuar në drejtimin e përgjegjësisë./UBTNews/

Exit mobile version