Është duke vazhduar edhe në ditën e gjashtë vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Janë rreth 3 mijë punëtorë shëndetësorë që janë vaksinuar me vaksinën antiCOVID-19.
Në mesin e të vaksinuarve është edhe personeli shëndetësor i Policës së Kosovës, ndërsa nga nesër pritet të fillojë vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.
Kurse vaksinimi i grupmoshave mbi 80-vjeç pritet të fillojë nga fundi i kësaj jave. Këto të dhëna i ka bërë të ditura zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti në konferencën për media.
“Deri në mesditë në sallën “1 Tetori” dhe në regjione ka pasur mbi 140 të vaksinuar, sot kemi filluar me ditën e gjashtë të vaksinimit kundër Covid-19. Ndërsa nëse i referohemi shifrave të përgjithshme, që nga fillimi deri më tani jemi duke iu afruar shifrës prej 3 mijë të vaksinuarve, kryesisht punonjës së institucioneve shëndetësore publike”, tha ai.
Hoti tha nesër dhe pasnesër do të fillojë vaksinimi i punonjësve të institucioneve shëndetësore private dhe se do të fillojë vaksinimi edhe në QKMF të nivelit të kujdesit parësor.
“Gjatë ditës së sotme vazhdon vaksinimi i punonjësve shëndetësorë të institucioneve shëndetësore publike, nesër dhe pasnesër do të vaksinohen nëpunësit e institucioneve shëndetësorë private si dhe vaksinimi do të shtrihet edhe në nivel të kujdesit parësor shëndetësor. Deri më tani vaksinimi është zhvilluar kryesisht për nivelin terciar, pra për shërbimin spitalor dhe klinikës Universitare të Kosovës, por edhe për kujdesin parësor të Prishtinës, për t’u zgjeruar pastaj me punëtorët e spitaleve të përgjithshme, ndërsa prej nesër pra edhe kujdesi parësor në komunat e tjera të Kosovës, ndërsa ka fundi i javës ne presim që të fillojë me vaksinimin edhe të grupmoshës mbi 80-vjeçare në mënyrë që ky proces përveç personelit shëndetësor, të përfshijë edhe grupacionet tjera të cilat gjithashtu janë të targetuara si grupe të riskut”, tha ai.
Hoti thotë se nesër pritet të fillojë vaksinimi i stafit mjekësor të FSK-së
“Gjatë kësaj kohe janë vaksinuar edhe pjesa e shërbimit shëndetësorë që funksionon në kuadër të policisë së Kosovës, ndërsa presim që nesër me gjasë të vaksinohet edhe shërbimi shëndetësor që vepron në kuadër të Forcave te Sigurisë së Kosovës”, tha ai.
Të dielën e 28 marsit, Kosova pranoi kontigjentin e parë prej 24 mijë vaksinave AstraZeneca.