Për gjashtë ditë në Kosovë janë vaksinuar rreth 3 mijë e 700 persona të personalit shëndetësor.
Koordinatori i sallës “1 Tetori”, në Prishtinë, Niman Bardhi ka treguar se vetëm gjatë së hënës janë vaksinuar 120 mjekë e staf shëndetësor.
“Është dita e 6 me radhë e vaksinimit në sallën 1 tetori me vaksinë Pfizer. Deri në këto çaste në ditën e sotit janë të 120 persona, përderisa në total shkon numri rreth 3 mijë e 700, nëse i referohemi totalit të përgjithshëm janë diku rreth 28 mijë vaksina përfshirë AstraZenceca dhe Pfizer. Pjesa e personelit shëndetësor është prezent por jo në numrin që kemi pritur, ndoshta përshkak të festës. Por sidoqoftë ne si ekip jemi këtu në sallën ‘1 Tetori”, tha Bardhi.
Kosova ka pranuar javën e kaluar 4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech nga Bashkimi Evropian. Kjo është pjesa e parë e 95 mijë dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën.