Rreth 20 ushtarë amerikanë nga Kompania e Policisë Ushtarake 186, pjesë e Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Iowa-s, do t’i bashkohen së shpejti misionit KFOR në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë përmes një postimi në Facebook.
“Familja dhe miqtë së bashku me liderët vendorë dhe shtetërorë u mblodhën më herët gjatë ditës së sotme për t’i dhënë lamtumirën afërsisht 20 ushtarëve nga Kompania e Policisë Ushtarake 186, të cilët janë duke u vendosur në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ushtarët e rinj amerikanë do të ofrojnë mbështetje në ligj dhe rend për forcat e SHBA-së dhe NATO-s në operacionin e vazhdueshëm paqeruajtës ndërkombëtar.