Rreth 100 gjoba janë shqiptuar ndaj kompanive për mosrespektim të të drejtave të punëtorëve në vendin e punës në muajt e parë të këtij viti.
Këtë e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së Kryeinspektorit në Inspektoratin e Punës, Agim Millaku në një intervistë për Ekonomia Online, ku mes tjerash tha se qëllimi i tyre s’është dënimi ndaj kompanive, por vetëdijesimi për respektim të të drejtave të punëtorëve.
“Ne jemi institucion-organ që bëjmë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve. Në të shumtën e rasteve në subjektet ku është inspektuar kanë kaluar pa ndonjë gjobë që janë bërë me mijëra inspektime, ku kemi diku një numër të vogël të gjobave ndoshta rreth 100. Por dosido janë gjoba në numër të madh sepse qëllimi ynë nuk është për të gjobitur subjektet, por qëllimi është të zbatojmë ligjin dhe të vetëdijësohemi në mbrojtjen e jetës së punëtorëve në respektim e të drejtave që dalin nga marrëdhënia e punës, mes subjektit dhe punëtorit”, është shprehur ai.
Sipas Millakut, aktualisht sektori i ndërtimtarisë mbetet një nga vendet e punës me rrezikun më të lartë, ku janë shënuar numër i madh aksidentesh.
“Për momentin sektori më i rrezikshëm në vende të punës është prezantuar sektori i ndërtimit. Këtu kemi numërim më të madh të aksidenteve, kryesisht kemi aksidente si pasojë e rënies nga lartësia. Pjesa dërmuese e tyre janë mosmarrja e masave të sigurisë në punë që mos me ra prej lartësisë kur kanë marramendje rrëshqasin ose bijnë në ndonjë vrimë të hapur për qëllime të vendosjes së ashensorëve ose shkallët janë pa rrethoja, pa mbrojtje në ndërtim e sipër. Raste më të pakta kemi aksidente për pasojë të mosmarrjes së masave personale mbrojtëse siç është helmeta, rrobat e punës e këpucëve të punës”, ka shtuar ai.
Tutje Millaku ka treguar se inspektorati mbikëqyrë zbatimin e të drejtave në marrëdhënien e punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, andaj çdo shkelje e këtyre do të ndëshkohet më gjobë.
“Inspektorati i punës e bën mbikëqyrjen e zbatimit në të drejtën e marrëdhënies së punës, sigurisë së punës dhe shëndetit në punë që nuk mund të themi se këtu ose aty shkelet më shumë ose më pak. Shkelja është shkelje dhe secila duhet ose të përmirësohet ose duhet të shqiptohet masa e gjobës për mospërmirësim nga subjektet në kuptimin e realizmit të të drejtave të punëtorëve që dalin si rezultat i dispozitave të caktuara ligjore”, ka përfunduar Agim Millaku për EO.