Numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim në Shërbimin Emergjent të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës gjatë vitit 2023 ishte rreth 90 mijë. Në Emergjencë deri në gjysmën e dhjetorit janë kryer rreth 1 mijë e 500 operacione, ku rreth 70 për qind e tyre kanë qenë si shkak i aksidenteve të ndryshme.
Drejtori i Shërbimit Emergjent në QKUK, Naser Syla, në një intervistë thotë se rreth 7 mijë pacientë gjatë vitit 2023 kanë kërkuar trajtim si shkak i lëndimeve në aksidente të ndryshme, prej tyre më së shumti në komunikacion.
“Numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim në qendrën emergjente, prej 1 janari deri më 10 dhjetor është diku 89 mijë, më saktësisht 89 mijë e 842 pacientë që janë trajtuar në qendrën emergjente. Në vitin e kaluar kanë qenë rreth 93 mijë raste, aty jemi, këtu shihet ngarkesa e madhe…Me rëndësi është numri shumë i madh i aksidenteve të komunikacionit – janë rreth 7 mijë aksidente të komunikacionit, raste që kanë qenë të lënduar prej aksidentit të komunikacionit. Gjatë kësaj periudhe, janë bërë diku 1 mijë e 411 ndërhyrje kirurgjike në sallën e emergjencës në sallat e traumës, ku mbi 70 për qind të tyre kanë qenë intervenime ose aksidenteve të komunikacionit ose për shkak të lëndimeve në punë, me armë zjarri ose armë të ftohta. Mandej është edhe një shifër e lartë dhe shqetësuese de fakto – numri i helmimeve, intoksikimeve. Këtë vit kanë qenë 408 raste, krahasuar me vitin e kaluar kur kanë qenë 365 raste”, tha Syla.
Gjatë intervistës, Syla potencoi se ka rënë numri i mjekëve të rinj që shprehin të interesim për të kryer specializimin në mjekësinë emergjente. Ai bëri një krahasim derisa tha se në vitin 2020 qendra emergjente ka pasur rreth 33 specializantë të rinj, derisa shton se tani ka rënë numri në 17.
Drejtori i kësaj klinike thekson si të pakënaqshëm faktin se mosha mesatare e mjekëve është rreth 50-vjeç, për çka shton se për të arritur një nivel të kënaqshëm me shërbime, nevojiten edhe 39 specialistë për t’iu bashkuar Shërbimit Emergjent.
“E kemi numrin shumë të vogël të mjekëve të rinj të cilët janë të interesuar për të marrë specializimin nga mjekësia emergjente…Në vitin 2020 i kemi pasur diku 33 specializantë të rinj që e kanë marrë specializimin nga mjekësia emergjente. Kurse sot, që tash pritet të dalin në vitin e katërt, janë vetëm 17 prej tyre, gati gjysma e kanë lëshuar specializimin nga mjekësia emergjente, shumica prej tyre kanë dalë jashtë Kosovës…Kurse në konkursin e fundit që e kemi pasur në qershor, prej 16 kërkesave që ne i kemi bërë në qendrën emergjente, janë paraqitur vetëm 4 specializantë…Mosha e mjekëve të mjekësisë emergjente tash është goxha e lartë – diku mbi 50 apo 55-vjeç, që nuk është e kënaqshme sa i përket aspektit të zhvillimit të mjekësisë emergjente…Për ta arritur minimumin e standardeve botërore duhen edhe 39 specialistë në mjekësinë emergjente”, theksoi Syla.
Si problem tjetër, Syla potencon numrin e vogël e infermierëve, derisa thekson se këta të fundit po e braktisin punën në QKUK. Ai thotë se mungojnë së paku dy deri në tre infermierë në çdo ndërrim, në mënyrë që të arrihet një standard në krahasim me shtetet evropiane.
Ndër të tjera, drejtori Syla tregon se pritet të fillojë renovimi i hapësirave të Qendrës Emergjente, me ç’rast potencon se do të pajisen me aparatura të reja. Ai e vlerësoi si çështje të rëndësishme ndërtimin e Qendrës Emergjente Kombëtare, për çka thotë se parashihet që brenda këtij objekti të përfshihet Qendra e Kardiologjisë Invazive, Qendra e Strokut, e djegieve e të tjera.
“Është kryer projekti dhe me iniciativën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të ShSUK-së, hapësirat e kësaj qendre emergjente, tash në ditët në vijim pritet që të fillojë renovimi i tyre. Do të sillet edhe pjesa e aparaturës së re, një pjesë e saj është pak më e vjetruar, edhe pse është funksionale… Me rëndësi tjetër është ndërtimi i qendrës emergjente kombëtare të re, është një hapësirë shumë e madhe diku prej 18 mijë metrave katrorë, aty është kryer pjesa arkitekturale dhe i tërë projekti… Janë të gjitha pjesët e shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë vetëm me emergjencë. Është blloku operativ, mjekimi intensiv qendror. Janë hapësira shumë më të mëdha, numër më i madh i sallave. Është qendra e Kardiologjisë Invazive, është Strok Center e goditjeve në tru, është qendra e djegieve. Është një objekt fenomenal”, tha Syla.
Syla potencon se Qendra Emergjente ka një hapësirë prej 503 metrave katrorë, të cilën e konsideron të pamjaftueshme në krahasim me vëllimin e kërkesave për trajtim. Sa i përket furnizimit me aparatura thotë se ata qëndrojnë mirë, e që njëjtë vlerëson edhe gjendjen me sigurimin e barnave esenciale.