Ministria e Infrastrukturës njofton qytetarët se pas reshjeve të shiut në drejtim të auto-udhës Vermicë-Gjurgjicë në kilometrin e 53 ka rrëshqitje të dheut, të një sasie jo të madhe, por që auto-udha “Ibrahim Rugova” është e qarkullueshme.
Ministria e Infrastrukturës ka sinjalizuar vendin dhe ekipet janë duke punuar për ta sanuar gjendjen.
Sipas njoftimit të MI-së, për shkak të reshjeve të borës, kompanitë e mirëmbajtjes kanë intervenuar me pastrim të borës dhe kripe, sidomos në regjionin e Pejës e Gjakovës, si dhe në viset malore.
“Auto-udha R6 Doganaj- Hani i Elezit, auto-udha A6 Konjuh-Doganaj, regjioni i Ferizajt 1 dhe Ferizajt 2, si dhe Prishtina 2 janë krejtësisht të lira për qarkullim. Ndërsa në regjionin e Gjilanit 2, gjendja e rrugëve është e mirë, ka pas reshje shiu dhe në vendet me lartësi më të lartë ka mjegull. Te Gjilani 2 të gjitha rrugët janë në gjendje të mirë, në disa pjesë për shkak të reshjeve të shiut ka erodime, por që rrugët janë të kalueshme. Po ashtu është intervenuar në shpërndarjen e kripës në rrugët: Prizren – Prevallë, Zhur -Dragash- Restelicë, Dragash –Brod”, thuhet në njoftimin e MI-së.
Më tej bëhet e ditur se në regjionin Peja 1, ka reshje të borës me intensitet të lartë, po ashtu ka intervenime në largimin e borës dhe shpërndarjen e kripës në të gjitha rrugët që janë nën përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës.
“Po ashtu është intervenuar me kripë në rrugët: Prishtinë-Mutivodë (segmenti Stallovë-Mutivodë), QMI -Carralevë ( segmenti Shtime-Carralevë) dhe Komoran-Carralevë ( segmenti Salë-Carralevë)”, thuhet në njoftim./UBTNews