UBT News

Rregullorja e re për mbeturinat pezullohet, pagesat kthehen te Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se qytetarët e kryeqytetit nuk janë të detyruar të paguajnë faturat për shërbimin e mbledhjes së mbeturinave për muajin janar, të cilat ishin lëshuar nga ndërmarrja “Pastrimi”.

Vendimi vjen pas pezullimit të rregullores së re për menaxhimin e mbeturinave, që kishte parashikuar që pagesat për këtë shërbim të inkasoheshin nga Kompania Rajonale e Mbeturinave nga 1 janari. Komuna e Prishtinës ka theksuar se pagesat tani duhet të realizohen përmes Komunës, deri në një vendim të ri.

Ky njoftim ka pasuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme me mbeturinat në qytet, pasi kontrata me operatorin “Alko Impex”, që ishte përgjegjës për grumbullimin e mbeturinave, ka skaduar. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar opozitën për situatën e krijuar, duke theksuar se rregullorja e miratuar nga Vetëvendosje dhe Partia Demokratike ka bllokuar operimin e kompanive private. Opozita ka kundërshtuar këto akuza./UBTNews/

 

Exit mobile version