UBT News

Rrahje dhe aborte: Jeta në burgjet e Koresë së Veriut

Pasi u zvarrit në qelinë e burgut, Lee Young-joo u urdhërua të ulej këmbëkryq me duart në gjunjë. Atë nuk e lejuan të lëvizte për gati 12 orë në ditë.

Vetëm një pëshpëritje e vogël asaj do t’i kushtonte shumë. Nuk kishte as ujë për të pirë e madje ushqehej vetëm me lëvore mistri të bluara.

“Ndihesha sikur kafshë, jo njeri”, deklaroi ajo.

Ajo i tha BBC-së se kaloi orë të tëra duke u marrë në pyetje për diçka që shumë prej nesh e marrin si të mirëqenë – duke u larguar nga vendi i saj. Ajo po përpiqej të arratisej nga Koreja e Veriut në vitin 2007 dhe u kap në Kinë prej nga u kthye mbrapa. Young-joo kaloi tre muaj në Qendrën e Paraburgimit Onsong në Korenë e Veriut, duke pritur dënimin.

Burgu duhej t’i pengonte njerëzit që të arratiseshin nga Koreja e Veriut – por nuk funksionoi për Young-joo ose për shokët e saj të qelisë. Shumica prisnin të dënoheshin për shkak të përpjekjeve për t’u larguar nga vendi. Planet e saj u dëgjuan.

“Roja më kërkonte të afrohesha te hekurat e qelisë dhe më pas filloi të më godiste në duar me një unazë çelësi derisa duart u frynë dhe morën ngjyrën blu. Nuk doja të qaja nga krenaria. Këta rojtarë i konsiderojnë ata që u përpoqën të largoheshin nga Koreja e Veriut si tradhtarë”, deklaroi ajo.

Një sistem shtypjeje

Young-joo është një nga më shumë se 200 personat që kanë kontribuar në një hetim të detajuar nga Korea Future për shkeljet e ligjit ndërkombëtar brenda sistemit të burgjeve të Koresë së Veriut.

Organizata jofitimprurëse ka identifikuar 597 persona të lidhur me 5 mijë e 181 shkelje të të drejtave të njeriut të kryera ndaj 785 të paraburgosurve në 148 objekte penale. Provat janë mbledhur dhe vendosur në një bazë të dhënash me shpresën se një ditë përgjegjësit mund të sillen para drejtësisë.

Koreja e Veriut gjithmonë i ka mohuar akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut. BBC është përpjekur të kontaktojë një përfaqësues nga Koreja e Veriut për t’iu përgjigjur këtij hetimi, por nuk ka marrë përgjigje. Grupi ka krijuar gjithashtu një model 3D të qendrës së paraburgimit Onsong për t’ua mundësuar njerëzve t’i shohin kushtet.

Akuza të shumta për abuzime

Koreja e Veriut aktualisht është më e izoluar nga bota sesa ka qenë ndonjëherë. Vendi është qeverisur nga familja Kim për tre breza dhe qytetarëve të tij u kërkohet të tregojnë përkushtim të plotë ndaj familjes dhe liderit të saj aktual, Kim Jong-un. Pandemia e Covid-it ka sjellë kontrolle edhe më të rrepta si brenda vendit ashtu edhe në kufi.

Ka shumë akuza për përdhunim dhe forma të tjera të sulmit seksual. Të mbijetuarat gjithashtu i thanë organizatës se ishin të detyruara të abortonin.

Në një rast në një qendër paraburgimi në Hamgyong të Veriut, një e intervistuar dëshmoi se një tjetër e burgosur u detyrua të abortonte gjatë muajit të tetë të shtatzënisë. Ajo pretendon se foshnja mbijetoi, por u mbyt në një legen me ujë.

Një hap më afër drejtësisë

Young-joo u dënua përfundimisht me tre vjet e gjysmë burg.

“Isha e shqetësuar nëse do të mbijetoja deri në momentin që të mbaroja dënimin”, tha ajo. “Kur shkon në këto vende, duhet të heqësh dorë nga të qenit njeri për të duruar dhe mbijetuar”, thotë ajo.

Saerom ishte gjithashtu në Qendrën e Paraburgimit Onsong në vitin 2007, por ajo thotë se dhuna fizike që ushtrohej në burgjet e Sigurimit të Shtetit ishte më e rëndë./UBTNews/

Exit mobile version