Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar pas raportimeve se ajo nuk është paraqitur në seancën gjyqësore lidhur me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.
Në një deklarim publik, Hajdari ka theksuar se arsyeja e mosprezencës së saj është fakti se nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare nga Gjykata.
“Të nderuar qytetarë, për seancën e sotme gjyqësore lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës. Në momentin që e pranoj thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore”, ka shkruar ministrja në detyrë.
Rasti “Rezervat shtetërore” ka qenë në qendër të vëmendjes publike muajt e fundit, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me seanca të tjera.
