100 fëmijë nga Kosova me sëmundje të zemrës do të kenë mundësi të operohen në Indi, ka thënë ndër të tjera presidenti i “Rotary International”, Shekhar Mehta. Këto operime pa pagesë do të mund të bëhen edhe në vende të tjera, në rast se India nuk do të mundësojë një gjë të tillë për tës mosnjohjes së pasaportës së Kosovës. Mehta pas takimeve me presidenten dhe kryeministrin në Kosovë, ka treguar se janë të gatshëm të ndërtojnë spitale për sy dhe qendra për dializë nëse ofrohet hapësira nga shteti.
Presidenti Shekhar Mehta pas vizitës në Prishtinë ka mbajtur konferencë për media, ku tha se janë të interesuar për investime në shëndetësi, arsim dhe zhvillim ekonomik në Kosovë. Ai ka prezantuar edhe programet në fushën e edukimit, ku ka sugjeruar të ofrojnë përmbajtje digjitale dhe në formën e audios për e-learning dhe mësimin në distancë.
“Sot kisha kënaqësinë të ofroj në vendin tuaj, autoriteteve tuaja, një dhuratë nga ‘Rotary International’ do të bëjmë operime të zemrës për 100 fëmijë nga Kosova në Indi nëse është e mundshme, apo në ndonjë vend tjetër pa pagesë. Po ashtu kemi ofruar jemi të gatshëm të ndërtojmë spitale për sy, qendra për dializë, nëse hapësira na ofrohet nga shteti do të sjellim pajisje, do të mobilojmë dhe po ashtu mund të udhëheqim këto programe. Për operime në zemër jemi në gjendje që të sjellim mjekët nga vendet e tjera të botës këtu që të kryhen operimet. Apo mjekët nga këtu mund të shkojnë në vendet e tjera të botës për të ngritur shkathtësitë e tyre”, ka njoftuar ai.
Ai u zotua se këto operacione mund të fillojnë që nga java e ardhshme.
“E kam kuptuar rishtazi që pasaporta e Kosovës nuk pranohet në Indi. Unë do të tentoj që të marrim leje të posaçme, por ai është një vendim politik dhe diplomatik. Kështu që nëse ajo ndodhë, atëherë fëmijët mund të vijnë prej javës së ardhshme. Sepse ne kemi fondin, kemi mjekët, mirëpo ajo nëse nuk mund të ndodhë atëherë mund të merr pak kohë derisa të gjejmë se ku mund të shkojnë këta fëmijë për operime”, ka deklaruar Mehta.
Më tej, ai u zotua se shumë shpejt pritet që të formohet distrikti Kosovë-Shqipëri i “Rotary…”. Ndër të tjera, ka folur edhe për sëmundjen e polios, ku tregoi se 40 vjet më parë, 350 mijë persona kanë qenë të infektuar, ndërkaq vitin e kaluar ky numër është ulur në vetëm pesë persona në dy vende të botës.