Serbët kanë bllokuar rrugën në pikën kufitare për në Jarinje, derisa është parë numër i madh i forcave të Policisë së Kosovës si dhe njësia e forcave speciale ROSU.
Në protestë kanë dal edhe pjesëtarë të Listës Serbe përfshirë këtu edhe ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendoset reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve.
Dokumenti është nënshkruar nga ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në vendimin të cilin e ka bërë publik vetë ministri Sveçla thuhet se “obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës”.
Tutje në vendim thuhet se vlefshmëria e këtyre targave të përkohshme është 60 ditë.
Në orët e mëngjesit janë shtuar forcat policore në pikat kufitare me Serbinë për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi.