Në një përpjekje për të menaxhuar turizmin masiv dhe për të ruajtur cilësinë e vizitave në një nga atraksionet më të famshme të qytetit, Shatërvani i Trevi, autoritetet romake po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së një tarife hyrjeje për turistët.
Alessandro Onorato, këshilltar i qytetit përgjegjës për turizmin, njoftoi se Roma planifikon të prezantojë një biletë hyrjeje prej dy eurosh (rreth 2,20 dollarë) për të hyrë në zonën përreth shatërvanit. Ky hap ka për qëllim të krijojë një përvojë më të qetë dhe më të këndshme për vizitorët, si dhe të menaxhojë fluksin e madh të turistëve.
Onorato shpjegoi se ky ndryshim është një përgjigje ndaj sfidave që përballet qyteti nga turizmi masiv. “Ne duam ta bëjmë vizitën në Shatërvanin e Trevi një përvojë të vërtetë dhe jo një përplasje kaotike mes turistëve që kërkojnë selfie më të mira,” tha ai. “Por, tani ne duhet të sigurojmë që turizmi të jetë në përputhje me jetën e romanëve.”
Për momentin, hyrja në shatërvan do të mbetet e lirë për banorët e Romës. Të ardhurat nga biletat turistike do të riinvestohen për të mbrojtur monumentin, për të punësuar staf sigurie dhe për të menaxhuar fluksin turistik, duke krijuar kështu vende pune.
Kjo është ende një ide në zhvillim, dhe për momentin nuk është e qartë se kur mund të vendoset dhe të hyjë në fuqi një tarifë e tillë hyrjeje. Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, e ka quajtur këtë propozim si një “ide shumë konkrete” dhe ka theksuar se qyteti po heton dhe eksploron mundësitë për realizimin e saj./UBTNews/