Nga rektori i UBT-së prof.dr Edmond Hajrizi – 9 maji shënon përvjetorin e Deklaratës së Schumanit të vitit 1950, kur ministri i Jashtëm francez paraqiti idenë e tij për një formë të re të bashkëpunimit politik në Evropë, mbi parimin e solidaritetit. Deklarata e Schumanit nënvizon ndërlidhjen qendrore midis Evropës së organizuar dhe marrëdhënieve paqësore. Pra, qëllimi i projektit të integrimit evropian ishte të bënte luftë të paimagjinueshme midis shteteve evropiane përmes ndarjes së sovranitetit të tyre që do të krijonte ndërvarësisë ekonomike, financiare, tregtare dhe politike. Kjo qasje rezultojë në periudhën më të gjatë të paqes në historinë e kontinentit evropian.
Pra, projektit i krijimit të Bashkimit Evropian mbi të gjitha ishte një projekt i ndërtimit të paqes dhe si të tillë edhe ne në rajonin tonë e shohim. BREXIT-i, kriza me refugjatët nga luftërat në Lindje, si dhe rritja e së djathtës ekstreme kanë vënë në pah vështirësitë me të cilat BE sot ballafaqohet. Mirëpo, në këtë ditë kur ne festojmë në fakt paqen në Evropë, dëshiroj të theksoj kontributet e Bashkimit Evropian në dy vlera që janë shumë afër nesh edhe si popull solidariteti dhe edukimi.
Bashkimi Evropian ka dëshmuar solidaritet ndaj shteteve të rajonit që nga luftërat e përgjakshme të viteve të ‘90-ta e gjithashtu edhe pas vitit 1999 BE vazhdon të jetë donatori kryesor në procesin e zhvillimit dhe shtetndërtimit në Kosovë. Që në vitet e ’90-ta kur ne kundërshtonim regjimin brutal të Millosheviqit, ne kemi kërkuar një të ardhme euroatlantike për vendin tonë, si një garanci për të drejtat e njeriut, sigurinë tonë dhe orientimin ndaj modelit liberal e demokratik i cili sot është i mishëruar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rezistenca jonë paqësore u ndërtua mbi fuqinë e parimit të solidaritetit.
Fatkeqësisht, solidariteti, sot, në shoqërinë, tonë është shumë i zbehur, përderisa vendi përballet me probleme serioze që cenojnë te ardhmen tonë të përbashkët Evropiane. Në tetor të vitit të kaluar në UBT, së bashku me Jamie Shean (ish-zëdhënësi i NATO-së në kohën e bombardimeve të vitit 1999), inauguruam Forumin Euroatlantik që të kontribuojë e të forcojë tutje lidhjen midis Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të Bashkimit Evropian, por edhe të ofroj platformë për konsolidimin e bashkëpunimit midis akterëve politik dhe jopolitik në Kosovë.
Si mund t’i mbrojmë dhe avancojmë vlerat tona të lirisë dhe demokracisë? Si t’i përgatisim të rinjtë dhe tregun e Kosovës të jenë konkurrues në tregun Evropian? Si t’u ndërlidhim sistemin e arsimit që të përgatis të rinjtë për vendet e punës së shekullit XXI, sidomos në sektorin e teknologjisë? Këto janë sfida vendimtare dhe sfidë për sistemin e arsimit.
Komisioni Evropian kërkon që të vendosim arsimin në qendër të prioriteteve të investimeve të Qeverisë, që të jetë një sistem që mund t’i përgjigjet sfidave moderne. Me nënshkrimin e marrëveshjes kornizë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për qasje në programet e BE-së janë krijuar mundësi të reja për të rritur shkëmbimin midis Kosovës dhe BE-së në sektorin e arsimit. Mirëpo, sfidë qendrore në këtë drejtim vazhdon të mbes regjimi i vizave. Për të ndihmuar studentët e Kosovës që të lëvizin nëpër Evropë, Komisioni Evropian duhet përfundimisht të liberalizoj vizat me Kosovën, sepse ky regjim është shndërruar në sfidën kryesore për shkëmbim de mobilitetin e të rinjve në Kosovë.
E ardhmja jonë në Evropa, si dhe e ardhmja e Bashkimit Evropian ndërtohen nga arsimi. Për Kosovën investimi në arsim krijon vende pune dhe zhvillim, si dhe ndihmon në promovimin e drejtësisë shoqërore dhe adresimin e sfidave ndaj demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Këto do të sjellin vendin më afër BE-së dhe do të bëjnë anëtarësimin tonë të shihet si një mundësi dhe jo barrë.
(Autori është rektor i UBT-së prof.dr Edmond Hajrizi )