UBT News

Roli i mediave gjermane gjatë dhe pas luftës në Kosovë – Diskutim me gazetarën e Deutsche Welle

Roli i Gjermanisë në 25 vitet e fundit në Kosovë ka qenë shumëdimensional. Prandaj, edhe prezenca e mediave gjermane në Kosovë, që nga viti 1998 e deri më sot, ka qenë e rëndësishme.

Gjatë Luftës së Kosovës, roli i Gjermanisë shënoi një moment kyç në marrëdhëniet Kosovë-Gjermani. Vendimi për të marrë pjesë në Operacionin e Forcave Aleate të NATO-s në vitin 1999 dhe më pas për të kontribuar në KFOR përfaqësoi një ndryshim historik për Gjermaninë, duke qenë dislokimi i parë ushtarak i vendit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ky vendim shkaktoi një debat të madh brenda Partisë së Gjelbër, e cila kishte një bazë pacifiste, dhe brenda qeverisë federale të kancelarit Gerhard Schröder dhe ministrit të Jashtëm Joschka Fischer. Pavarësisht këtyre debateve të brendshme, pjesëmarrja e Gjermanisë në operacion u bë një moment i rëndësishëm në politikën e jashtme dhe të sigurisë të saj, duke hapur rrugën për një angazhim afatgjatë për sigurinë e Kosovës.

Por, si e portretizoi media gjermane këtë angazhim? Për të kuptuar më mirë qasjen e mediave gjermane në Kosovë, si dhe kontributin e tyre përmes arkivave të Reporting House nga periudha e luftës 1998-1999, u mbajt një diskutim në zyret e këtij institucioni.

Pjesëmarrëse ishte gazetarja nga Kosova, Vjosa Çerkini, që punon në Deutsche Welle, e cila ndau përvojën e saj profesionale dhe pikëpamjet mbi ndikimin e mediave gjatë asaj periudhe dhe pas saj.

Ajo u shpreh: “Rrugëtimi im nuk ka qenë aspak i lehtë, si një 18-vjeçare udhëtova për në Gjermani për t’u bërë gazetare e pavarur. Ishte një rrugë e gjatë ku më është dashur të mësoj gjuhën, të krijoja kontakte të reja dhe të siguroja financa vetanake”. Vjosa, e emocionuar nga kujtimet e luftës, ndau me të pranishmit detaje të shumta që gjeneratat e reja nuk i kishin dëgjuar më parë.

Temat e trajtuara në këtë ngjarje, si dhe ndikimi i mediave gjermane gjatë periudhës së luftës dhe pas saj, u ndoqën me shumë interes, duke e ditur se shumë media, përfshirë ato gjermane, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zbardhjen e fakteve të asaj periudhe të dhimbshme për popullin shqiptar.

Artikull nga gazetarja Albina Zeneli. /UBT News/

Exit mobile version