UBT News

Rohde: Shumë e rëndësishme të çojmë përpara diskutimin për Asociacionin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka potencuar se është shumë e rëndësishme që të çohet përpara diskutimi për Asociacionin. Ai ka potencuar se i vjen mirë që ministri Nenad Rashiq ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në diskutimin e planifikuar të Asociacionit.

“Jam plotësisht dakord: është shumë e rëndësishme të çojmë përpara diskutimin për Asociacionin. Është mirë të dëgjosh se ministri i Kosovës Nenad Rashiq ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në diskutimin e planifikuar të Asociacionit më 31 janar në Ambasadën Amerikane në Prishtinë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, dje ka konfirmuar diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që pritet të mbahet më datë 31 janar.

Në një përgjigje Ambasada ka treguar qëllimin e këtij diskutimi, ndërsa nuk ka bërë të ditur nëse ka një ftesë për kryeministrin e Kosovës, njëherit kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pavarësisht se është thënë që ka ftuar liderë politikë.

“Më 31 janar, Ambasada e Amerikës do të organizojë një diskutim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kemi ftuar drejtues të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë për të diskutuar këtë temë të rëndësishme”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës amerikane.

Ndërkohë, përveç ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq është mësuar se edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pranuar një ftesë të tillë.

Ditë më parë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për refuzimin e Kurtit për të themeluar Asociacionin, ka thënë se “një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar”.

Exit mobile version