UBT News

Rohde: Nëse ka rezutat ideal në dialog, do të ketë shtete mosnjohëse që do ta njohin Kosovën

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde është shprehur i sigurt se do të ketë shtete mosnjohëse që do ta njohin Kosovën nëse ka rezultat ideal në normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Kam 100% shpresë duke u nisur edhe nga vetë përvoja ime kombëtare. Unë jam rritur në një Gjermani të ndarë dhe si Gjermani Perëndimore, nuk e kemi njohur Gjermaninë Lindore. Por, sapo e kemi arritur marrëveshjen bazë në mes këtyre dy shteteve, të gjitha shtetet të cilat ne i kemi ndaluar ta njohin Gjermaninë Lindore, më pas e kanë njohur Gjermaninë Lindore. Kjo nuk e ka ndryshuar marrëdhënien tonë të brendshme. Të gjitha shtetet mosnjohëse kanë thënë se nëse ka një dinamikë pozitive për normalizim të marrëdhënieve [Kosovë-Serbi], ne do ta rimendojmë pozicionin tonë. Kështu që, për mua është pak a shumë “slam-dunk” [term që përshkruan një fitore të arritshme lehtë]. Nëse keni një rezultat ideal, do të ketë shtete mosnjohëse që do ta njohin Kosovën, jam shumë i sigurt. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ta kalojmë vijën dhe të mos na ikë autobusi, siç kam thënë më parë”, ka thënë Rohde në një intervistë për REL.

Lidhur me takimin e 18 marsit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Rohde i ka inkurajuar ata që ta shfrytëzojnë këtë takim për arritje të marrëveshjes për zbatimin e planit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

“Duhet të biem dakord se çfarë mund të arrijmë së bashku. Kjo është një gjë e mirë. Keni një bazë. Dhe, tani kemi aneksin e zbatimit. E kemi bërë të qartë se çfarë presim nga Kosova, ashtu sikurse edhe i dërguari evropian [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, i cili punon shumë, e ka mbështetjen tonë të plotë dhe e ka bërë të qartë dje [14 mars] se pa [themelimin] e Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë] nuk ka marrëveshje. Në anën tjetër, Serbia gjithashtu duhet të pajtohet se Kosova është një fqinj dhe ka një të ardhme evropiane. Dhe Kosova ka shumë për të fituar”, është shprehur ai.

Ambasadori gjerman, ndër të tjera, ka nënvizuar se është e rëndësishme që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që siç ka thënë, është obligim gati 10-vjeçar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbajnë takimin e radhës në kuadër të dialogut më 18 mars në Ohër. Bashkimi Evropian ka informuar se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të Jashtme, Josep Borrell, së bashku me emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nga ora 10:00 do të takohen ndaras me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimeve ndaras, do të mbahet edhe një takim të përbashkët, i cili do të fokusohet në Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për përmbajtjen e Propozimit evropian, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Exit mobile version