Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka mbështetur qëndrimin e shefit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, lidhur me raportimet se ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb ka nisur një fushatë linçuese nga përdorues serbë të rrjeteve sociale.
Rohde ka thënë se kjo fushatë frikësimi është shqetësuese dhe duhet të ndalet menjëherë.
“Policët e rinj nga komunitetet boshnjake, rome, serbe dhe turke të Kosovës meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, ka shkruar ai në Twitter.
Pietro Barbano e ka quajtur të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi që bëhet.
“Jam shumë i shqetësuar nga raportimet e mediave lidhur me mesazhet kërcënuese kundër policëve të rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm, dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe ajo përfaqëson tërë popullsinë e Kosovës”, është shprehur ai.
Në fillim të kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë. Në Policinë e Kosovës bënë të ditur se 45 prej tyre janë nga komuniteti serb, 16 nga ai boshnjak, tetë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe tre turq.