UBT News

Rohde: Gjermania s’do të ndryshojë qasjen për Kosovën as pas Merkelit


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova s’duhet të ketë frikë nëse largimi i kancelares Angela Merkel nga kreu i shtetit të Gjermanisë do të ndikojë në ndryshim të politikës së jashtme të fuqisë më të madhe evropiane.

Sipas tij, Gjermania gjithmonë ka pasur konsensus për politikën e jashtme dhe kushdo që vjen në shtator, pas largimit të Merkelit, do të vazhdojë këtë qëndrim.

“Shikojeni politikën e jashtme gjermane në 30 vjetët e fundit. Në esencë ka një konsensus për politikën e jashtme dhe kur vjen puna te ky rajon, nuk shoh asnjë ndryshim. Madje do të thosha, e mërzitshme, por e qëndrueshme. Ne gjithmonë, çdo qeveri gjermane e di, ka një indikacion të qartë për fqinjësinë tonë të afërt, integrimi evropian dhe atlantik është caku për këtë rajon, dhe kushdo që të qeverisë pas shtatorit do të vazhdojë në këtë rrugë. Kjo është në interesin tonë nacional, sepse një rajon stabil është i mirë për stabilitetin e Evropës dhe sa më shpejt që të mundemi të përfundojmë me sukses procesin e integrimit, aq më mirë. Nëse e shikoni para dhjetë vjetësh si ishte, tani Shqipëria është anëtare e NATO-s, Kroacia është anëtare e BE-së. Ndonjëherë merr më shumë kohë se që pritet, por në fund lëvizja është gjithmonë në drejtimin e duhur, jo në drejtimin e gabuar”, ka thënë ai në Desku të KOHËS.

Exit mobile version