Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në vend, ku terroristët serbë vranë rreshterin policor Afrim Bunjaku. Ai ka kritikuar Listën Serbe se po hesht ndaj një sulmi vrastar ndaj Policisë së Kosovës.
“As e gjithë bota përfshirë. Kisha Ortodokse Serbe është tronditur dhe dënon ngjarjet e djeshme: Pyes veten nëse edhe Lista Srpska do ta ndalë heshtjen e saj dhe do të na bashkohet të gjithëve në qëndrimin tonë të qartë kundër këtij sulmi vrastar ndaj Policisë së Kosovë”, tha ai.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.
Sipas informacioneve zyrtare, tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona.
Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se aksioni në kërkim të sulmuesve është duke vazhduar.