Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për marrëveshjen e arritur ditë më parë mes Qeverisë së Kosovës dhe MCC.
Rizvanolli theksoi se kjo marrëveshje, program Kompakt kap vlerën mbi 200 milionë dollarë për sigurinë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin në një të ardhme më të pastër të energjisë.
“Sipas marrëveshjes së negociuar me MCC-së gjatë javës së kaluar është propozuar një program Kompakt, në vlerë prej 202 milionë dollarë. Sipas marrëveshjes të negociuar, Kompakti i propozuar do të financohet 202 milionë dollarë amerikanë nga MCC, ndërsa pjesa tjetër do të bashkë-financohet nga Qeveria e Kosovës. Kjo qeveri ka përgjegjësinë kryesore për mbikëqyrje dhe menaxhimin e zbatimit të programit. Me një pëlqim paraprak të MCC, qeveria do të caktojë një entitet autonom në përputhje me Ligjit për Lirinë e Asociimit në organizatat jo qeveritare, i cili subjekt do të jetë përgjegjës për zbatimin e programit. Objektivi i parë i programit është ruajtja e energjisë që do të mbështetë sigurinë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin në një të ardhme më të pastër të energjisë”, tha ajo.