UBT News

​Rizvanolli: Kosova e ka çmimin më të lirë të energjisë, rezoluta e opozitës populiste

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka quajtur populiste rezolutën e partive opozitare për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe heqjen e bllok-tarifave.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Rizvanolli theksoi se Kosova e ka çmimin më të lirin të energjisë elektrike në rajon dhe Evropë.

“Me subvencionimin më të ulët në rajon dhe përkundër rritjes së tarifave, Kosova mbetet shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirin në rajon e Evropë…Në muajin nëntor, 2023, 80 për qind e amvisërive kanë konsumuar nën 800 kilovat në orë, pasi t’i heqim orët që kanë pasur konsum zero. Ndërsa 90 për qind kanë konsumuar më pak se 1 mijë kilovat në orë. Pra, vetëm 10 për qind kanë konsumuar mbi 1 mijë kilovat në orë dhe këta 10 për qind kanë konsumuar 25 të energjisë totale të konsumuar. Në muajin dhjetor, ka pasur rritje 49 për qind të konsumit të amvisërive në përgjithësi. Pasi t’i heqim orët pa konsum, 59 për qind nuk e kanë kaluar pragun prej 800 kilovat në orë, ndërsa 73 për qind nuk e kanë kaluar konsumin prej 1 mijë kilovat në orë. Dallimi në mes të shumicës që shpenzon pak, e pakicës që shpenzon shumë tani në dhjetor bëhet edhe më i madh. Tani vetëm 6 për qind e shpenzueseve më të mëdhenj që shpenzojnë mbi 2 mijë kilovat orë, konsumojnë 24 për qind. Vetëm 2 për qind të konsumatorëve që shpenzojnë mbi 3 mijë kilovat orë shpenzojnë 11 për qind të energjisë elektrike. Pra, këto 4 mijë e 784 shtëpi kanë shpenzuar mesatarisht 4 mijë e 165 megavat në orë”, tha ajo.

Mirëpo deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e kritikoi ministren Rizvanolli se po manipulon me statistika, derisa e pyeti se pse blloqe të tëra të KEK-ut janë jashtë funksionit.

“Jep përgjigje pse blloqe të tëra të KEK-ut i ke jashtë funksionit, për shkak se tregtar të energjisë elektrike e keni Martin Berishajn”, tha deputetja opozitare.

Mirëpo këtë gjë e mohoi ministrja Rizvanolli, derisa tha se opozita me rezoluta koti dhe populiste po tenton të mashtrojë qytetarët.

“Janë katër blloqe në funksion. Pesë blloqe ka vite të tëra që nuk kanë funksionuar në të njëjtën kohë. Përjashtim ka qenë viti 2021 gjatë krizës kur kanë funksionuar të pesë blloqeve njëkohësisht. Gjatë muajve të verës kemi pasur dalje të dy blloqeve nga tre muaj, kjo për arsye se janë bërë investime që janë planifikuar për vite të tëra, por që nuk janë bërë në KEK më herët…Ju me rezoluta koti populiste, me metoda me të cilat nuk ulet çmimi i energjisë elektrike po doni me i mashtru qytetarët që mundeni me ulë çmimin e energjisë elektrike”, theksoi Rizvanolli.

Exit mobile version