Asnjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me kompaninë EFT të Vuk Hamoviq, tha ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Sipas saj, KOSTT dhe KEK si dhe KEDS dhe KESCO kanë konfirmuar se gjatë qeverisjes së LVV-së nuk kanë pasur asnjë kontratë për import të energjisë elektrike nga kompania serbe EFT, raporton KosovaPress.
Rizvanolli në konferencë për media të premten tha se ish-opozita po keqpërdor qëllimshëm të dhënat e ankandeve të kapaciteteve ndërkufitare të cilat kompania EFT i shfrytëzon për të bartur energji elektrike transit përmes kufijve energjetikë të Kosovës.
“Po thuhet që disi qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje është e lidhur me kompaninë EFT. Dua të them qartë: asnjë zyrtar i qeverisë dhe as Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me EFT-në. Është komplet gënjeshtër. E dyta, po thuhet se Kosova po importon nga EFT. Nuk ekziston asnjë fakt që Kosova ka importuar nga EFT gjatë qeverisjes sonë. Edhe kjo është komplet gënjeshtër. E treta, po keqinterpretohen qëllimshëm të dhënat e ankandeve të kapaciteteve ndërkufitare të cilat EFT i shfrytëzon për të bartur energji transit në shtetet tjera përmes kufijve energjetikë të Kosovës për të krijuar bindjen se Kosova po blen nga EFT. Kjo është komplet gënjeshtër. E katërta, po flitet për importin e energjisë thuajse është qeveria ajo që blen energji. Ndërmarrjet publike KOSTT dhe KEK kanë konfirmuar se gjatë qeverisjes sonë nuk kanë pasur asnjë kontratë me EFT-në. Për më tepër, edhe ndërmarrjet KESCO dhe KEDS kanë konfirmuar se s’kanë pasur asnjë kontratë me EFT-në gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë”, tha ajo.
Duke folur për aludimet se Kosova ka importuar energji nga EFT më 28 nëntor, ajo tha se kompania EFT ka bartur vetëm energji transit përmes Kosovës dhe se destinacioni final ka qenë Maqedonia e Veriut.
Ministrja në detyrë më tutuje akuzoi partitë e ish-opozitës që gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet kanë blerë energji elektrike nga EFT, prej vitit 2008 deri në vitin 2018.
“EFT ka shitur energji në Kosovë në periudhën 2008–2018. Ndërkohë partitë opozitare që akuzojnë sot pabazë, ndërsa atëherë kur kjo ka ndodhur, e kur PDK, LDK dhe AAK kanë qenë në pushtet dhe njerëzit e tyre kanë qenë në borde dhe kryeshefa të ndërmarrjeve publike dhe kanë blerë energji nga EFT, nuk më kujtohet se këto parti janë brengosur ndonjëherë për këtë çështje”, tha Rizvanolli.
Sa i përket kompanisë NOA Energy, ministrja Rizvanolli tha se e njëjta kompani ka ardhur në Kosovë në vitin 2018, ndërkaq dega në Kosovë është licencuar në vitin 2021.
