UBT News

Rivali më i fortë i Erdogan, Ekrem Imamoglu-s mund t’i mohojnë kandidimin për President

Autoritetet turke po shqyrtojnë dokumentet, veçanërisht diplomën e kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, për të vërtetuar nëse ai e falsifikoi dokumentin ose jo.

Deri të hënën e ardhshme, Shkolla e Administratës Publike e Universitetit të Stambollit në Turqi pritet të anulojë diplomën e Imamoglu, siç zbuloi gazeta proqeveritare turke “Hurriyet”.

Universiteti pritet të plotësojë raportin për diplomën e tij dhe ta dërgojë atë në Shkollën e Administrimit të Biznesit, administrata e së cilës do të nxjerrë vendimin për vlefshmërinë ose jo të diplomës.

Kryebashkiaku i Stambollit po përballet me akuza për falsifikim dokumentesh zyrtare bazuar në një raport të përgatitur nga Këshilli i Arsimit të Lartë të Turqisë (YOK).

Sipas raportit, transferimi i Imamoglu në vitin 1990 në Shkollën e Administrimit të Biznesit të Universitetit të Stambollit nuk ishte i ligjshëm dhe për këtë arsye diploma e tij duhet të anulohej.

Nëse i hiqet diploma, Ekrem Imamoglu nuk do të mund të jetë kandidat për president të vendit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, pasi një diplomë e arsimit të lartë është kusht për të garuar për këtë pozicion.

Kandidati më i fortë i opozitës kryesore për zgjedhjet presidenciale në Turqi po përballet me një sërë gjyqesh, ku rrezikon edhe dënime me burg deri në 23 vite, ndërsa deri më sot i është kërkuar 5 herë heqja e të drejtave politike.

Më 23 mars do të mbahen zgjedhjet e brendshme në CHP për të përzgjedhur kandidatin e partisë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat, nëse nuk mbahen para kohe, janë planifikuar për t’u zhvilluar në vitin 2028.

Kandidati më i fortë që mund t’i dalë përballë presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan nga opozita është Ekrem Imamoglu. Megjithatë, çështjet ligjore që ai ka në pritje e bëjnë të pasigurt të ardhmen e tij dhe të partisë së tij.

Duke folur të premten në një ceremoni inaugurimi në Stamboll, Ekrem Imamoglu tha se ata nuk do të jenë në gjendje të fitojnë dhe i bëri thirrje Presidentit Erdogan që të përballet me të me guxim në kutinë e votimit.

“Mendojnë se do ta pengojnë Ekremin, do ta pengojnë, një gjë do të bëjnë ose një tjetër… Por mua nuk më lëviz asnjë qime floku në kokë. Frikacakët përpiqen të na trembin. Ne nuk kemi frikë, nuk trembemi nga askush. Gjithçka që kërkojmë është kutia e votimit. Ejani të lajmë hesapet, t’i lajmë hesapet me trimëri. Nuk kemi frikë, kërkojmë vetëm kutinë e votimit. Rrugën drejt presidencës e mora me vendosmëri. Ata nuk do të mund ta pengojnë Ekremin. Pas 23 marsit, të gjithë së bashku do ta festojmë Fitër Bajramin (festën e Ramazanit) në një atmosferë entuziaste festimi”, tha ai.

Exit mobile version